Keni Pyetje?
Na kontaktoni: +383 44 230 049

Hapja e biznesit të ri

Çfarë duhet për regjistrimin fillestar?

Hapja e biznesit të ri

A. Çfarë kërkohet për regjistrimin fillestar?

I. Formulari i aplikimit

Për të filluar një regjistrim, aplikanti duhet të plotësojë formularin e aplikimit. Para se të plotësojë formularin, aplikanti duhet të dijë sa vijon:

Formulari i aplikimit është i ndryshëm për llojet e ndryshme të subjekteve afariste që aplikojnë (personat fizikë që ushtrojnë veprimtari afariste ose shoqëritë). Prandaj, aplikanti duhet të përcaktojë nëse aplikimi është për një person fizik që regjistron biznesin apo për një shoqëri, si dhe llojin e shoqërisë. Informacione mbi kërkesat ligjore për subjektet afariste gjenden në Ligjin Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, i cili mund të shkarkohet nga faqja zyrtare e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Formularët e aplikimit mund të merren në dy mënyra:
a) Në çdo qendër shërbimi të ARBK-së;
b) Të shkarkohen nga faqja zyrtare e ARBK-së.

Të gjitha udhëzimet për plotësimin e formularëve janë në dispozicion në çdo qendër shërbimi të ARBK-së. Çdo person përgjegjës për pranimin e aplikimeve është i gatshëm t’i ndihmojë aplikantit në plotësimin e të gjitha pjesëve të detyrueshme të formularit.

 

II. Dorëzimi i aplikacionit për regjistrim në ARBK

Pasi të përfundojë plotësimi i formularit të aplikimit, aplikanti (ose personi i autorizuar) dorëzon formularin personalisht në çdo qendër shërbimi të ARBK-së, së bashku me dokumentet mbështetëse të kërkuara.

Aplikanti ose përfaqësuesi i autorizuar duhet të identifikohet para zyrtarit të ARBK-së me një dokument origjinal identifikimi. Nëse aplikacioni dorëzohet nga person i autorizuar, duhet të paraqitet edhe një autorizim i nënshkruar për të përfaqësuar aplikantin në procesin e regjistrimit.

Zyrtari që pranon aplikacionin do të verifikojë nëse formulari dhe dokumentet mbështetëse janë të plota dhe të pranueshme nga ARBK. Në rast se aplikacioni është i paplotë ose i pasaktë, zyrtari do ta njoftojë dhe ndihmojë aplikantin për të sqaruar dhe plotësuar formularin.

Formulari i aplikimit duhet të nënshkruhet nga aplikanti ose përfaqësuesi i autorizuar në momentin e dorëzimit.

Regjistrimi fillestar i biznesit nuk ka tarifë, ndërsa ndryshimet në një biznes ekzistues paguhen sipas tarifave të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ përkatës, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të ARBK-së.

 

III. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Biznesit Individual (B.I.) ose Ortakërisë së Përgjithshme (O.P.):

  • Plotësimi i Formularit B,

  • Dokument identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë),

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 (d) të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Për Ortakërinë e Përgjithshme, marrëveshja e ortakëve sipas Nenit 31.1.3 të Ligjit Nr. 06/L-016.

Procesi i regjistrimit për Bizneset Individuale dhe Ortakëritë e Përgjithshme në ARBK zgjat 2 ditë.

 

IV. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Ortakërisë së Kufizuar (O.K.):

  • Plotësimi i Formularit A0,

  • Marrëveshja e ortakërisë sipas Nenit 32.13 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Statuti,

  • Dokumentet e identifikimit (letërnjoftime ose pasaporta) të pronarëve dhe përfaqësuesve të autorizuar të biznesit,

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 të Ligjit Nr. 06/L-016.

 

V. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K.):

  • Plotësimi i Formularit A0,

  • Marrëveshja e shoqërisë sipas Nenit 82.1 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Statuti sipas Nenit 33 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Dokumentet e identifikimit (letërnjoftime ose pasaporta) të pronarëve dhe përfaqësuesve të autorizuar,

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 të Ligjit Nr. 06/L-016.

Procesi i regjistrimit për Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar dhe Shoqëritë Aksionare në ARBK zgjat 3 ditë.

 

VI. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Shoqërisë Aksionare (SH.A.):

  • Plotësimi i Formularit A0,

  • Statuti sipas Nenit 34.1.3 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Marrëveshja ose rregullorja e shoqërisë sipas Nenit 34.4 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 të Ligjit Nr. 06/L-016,

  • Dokumentet e identifikimit (letërnjoftime ose pasaporta) të pronarëve dhe përfaqësuesve të autorizuar.

 

VII. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Degës së Shoqërisë së Huaj në Kosovë:

  • Plotësimi i Formularit A0,

  • Vendimi për themelimin e degës së shoqërisë së huaj,

  • Vendimi për emërimin e Drejtorit (kopje pasaporte) dhe përfaqësuesit të regjistruar (kopje letërnjoftimi),

  • Certifikata e biznesit (origjinale ose kopje e noterizuar, e lëshuar jo më shumë se tre muaj para dorëzimit; nëse nuk është në shqip, serbisht, ose anglisht, duhet të përkthehet në njërën nga këto gjuhë dhe përkthimi të jetë i noterizuar),

  • Kopje e pasaportës së pronarit dhe drejtorit të shoqërisë së huaj,

  • Kopje e statutit të shoqërisë së huaj,

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 të Ligjit Nr. 06/L-016.

Shënim: Nëse pronari i biznesit nuk është prezent gjatë dorëzimit të dokumenteve, aplikacioni mund të dorëzohet nga person i autorizuar me një kopje të autorizimit dhe letërnjoftimit.

 

VIII. Dokumentet mbështetëse për regjistrimin e Kooperativës Bujqësore:

  • Plotësimi i Formularit K0,

  • Marrëveshja e shoqërisë,

  • Statuti,

  • Vendimi për emërimin e drejtorit,

  • Dokumentet e identifikimit (letërnjoftime ose pasaporta) të anëtarëve dhe personave të autorizuar në biznes,

  • Miratimi i përfaqësuesit të regjistruar sipas Nenit 24.5 të Ligjit Nr. 06/L-016.

Keni Pyetje?
Na kontaktoni: +383 44 230 049

Keni ndonjë pyetje apo dëshironi që të konsultoheni?

Kontakto
Keni ndonjë pyetje apo dëshironi që të konsultoheni?